njofto
Advanced Poll
Kush jane fituesit e zgjedhjeve 2013
Partia Demokratike
PD + LSI + PDIU
Partia Socialiste
PS + AK + FRD
PS + LSI + AK + FRD
PS + AK + FRD + PDIU


View results
Version 2.08
 Kursi Ditor
USD / LEK 109.57
EUR / LEK 139.50
GBP / LEK 173.76
CHF / LEK 115.88
Ndryshimi i fundit: 16.11.2012
Pėr mė shumė

Interesat e Instrumenteve tė Bankės
Marre nga Banka e Shqipėrisė
Xhiro e vitit 2010, 50 firmat me te fuqishme
Shtuar me date:2011-07-18 20:40:21

Nga Ornela Liperi

TIRANE – 18 korrik ( Monitor ) - Nuk ka qenë i lehtë për pjesën më të madhe të bizneseve shqiptare viti 2010. Konkurrenca është shtuar, teksa shumë tregje po maturohen.

Kriza globale, nga ana e vet, bëri punën e saj, teksa rritja ekonomike në 2009-2010 ka qenë rreth 3%, nga deri në 8% që arriti para se të shpërthente kriza financiare globale në fund të 2008-s.

Frenimi i konsumit të brendshëm ka qenë i dukshëm, duke reflektuar çmimet e larta, pasigurinë për të ardhmen, apo rritjen më të ngadaltë të të ardhurave, dukuri që është pranuar tashmë dhe nga Banka e Shqipërisë.

Bizneset po vuajnë nga problemet e likuiditetit, me kohën e likuidimit të pagesave, që sa vjen e zgjatet dhe bankat që në 2010-n e frenuan ndjeshëm huadhënien, ndërsa kreditë e këqija sa vijnë e po shtohen.

Në këtë mjedis, vlerësohet se riformatimi i bizneseve do të jetë i pashmangshëm në një afat të mesëm, ku më shumë pritet që të vuajnë bizneset e vogla dhe ato të mesme. Për sipërmarrjet e mëdha, të cilat kanë kapital të konsiderueshëm, do të jetë më e lehtë t’iu përshtaten kushteve të reja të tregut, nëse do të shtojnë ekspertizën dhe do të dinë të shfrytëzojnë avantazhet e tyre konkurruese.

Në fakt, të dhënat e xhiros së kompanive më të mëdha në vend (Tabela: Ecuria e xhiros së kompanive më të mëdha në vend) duket se konfirmojnë fazën e zhvillimit në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare. Bizneset që i shërbejnë tregut të brendshëm kanë reflektuar në ecurinë e tyre tkurrjen e konsumit.

Eksportuesit i janë gëzuar koniunkturës mjaft të favorshme ndërkombëtare të çmimeve dhe rritjes së kërkesës. Ndërsa biznese të mëdha e të konsoliduara kanë vijuar me investimet e tyre dhe kanë arritur të përballojnë mirë efektet e ngadalësimit të rritjes ekonomike.


“CEZ Shpërndarje”, kompania më e madhe në vend

Pas mbizotërimit prej dy vitesh të “Bechtel Enka”, shoqërisë që ndërtoi rrugën Durrës-Kukës, mbarimi i projektit më të madh rrugor në vend ka sjellë dhe fundin e mbretërimit të përkohshëm të saj. Xhiro e “Bechtel Enka” pothuajse është përgjysmuar, duke arritur në rreth 1.5 miliardë lekë në 2010-n, sipas të dhënave nga tatimet.

Kompania më e madhe në vend tashmë është “CEZ Shpërndarje”, që ka arritur të regjistrojë nivele të larta të xhiros gjatë dy viteve të fundit. Pas nuk mbetet as KESH, që ka përfituar nga një vit me reshje të shumta, që e kanë favorizuar në shtimin e eksporteve, duke mundësuar dyfishimin e xhiros.

Celularët, rezultatet në konkurrencën e ashpërsuar

Ka qenë një vit i vështirë për dy kompanitë e mëdha celulare, AMC e “Vodafone”, të cilat u gjendën nën një presion të trefishtë. Së pari, shtimi i konkurrencës, pas agresivitetit të operatorit të tretë “Eagle Mobile” dhe nga fundi i vitit hyrja e operatorit të katërt “Plus”.

Së dyti, ndërhyrjet e vazhdueshme të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për uljen e tarifave të terminimit me shumicë.

Së treti, vetë tregu ka hyrë në një fazë maturimi, ku penetrimi tashmë i ka kaluar 140% dhe, nga ana tjetër, kompanitë kanë vijuar për të dytin vit rresht të përballen me pasojat e ngadalësimit ekonomik, si rrjedhojë e krizës globale.

Në total, tregu i telefonisë së lëvizshme (i matur nga tendenca e xhiros së katër kompanive) rezulton të ketë pasur rënie prej rreth 12%.

“Vodafone” dhe AMC, për të dytin vit radhazi, kanë vijuar të rezultojnë me një rënie të të ardhurave, që ka çuar në uljen e të gjithë tregut.

“Vodafone” kryeson tregun, me rreth 20.3 miliardë lekë të ardhura në 2010-n, i ndjekur ngushtë nga AMC me 19.8 miliardë lekë. Në rënie ka qenë dhe norma e fitimit të këtyre dy kompanive në krahasim me 2009-n, nga 50% në 45% për “Vodafone” dhe nga 54% në 44% për AMC.

“Eagle”, që është ende në fazë rritjeje, ka shtuar të ardhurat me 18% në 5.2 miliardë lekë, ndërsa për herë të parë, pas më se tre vitesh aktivitet, ka arritur që të rezultojë me fitim, me një normë fitimi të kënaqshme prej 23%.

“Plus”, operatori i katërt, që hyri në treg në muajt e fundit të 2010-s, ka pasur një xhiro modeste prej 89 milionë lekësh.



Edhe kompania më e madhe e telefonisë fikse, “Albtelecom” nuk i ka shpëtuar tendencës së tkurrjes së tregut, duke deklaruar rënie të xhiros prej rreth 5%.

Sipas të dhënave nga INSTAT, tkurrja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) me bazë vjetore e sektorit të telekomunikacioneve ishte -7.3% në 2010-n dhe erdhi pas një viti, kur u shënua një rritje rekord prej 27.3%.


Vit i mbarë për eksportuesit

Ringjallja e kërkesës në tregjet ndërkombëtare dhe rritja e çmimeve të produkteve ka bërë që kompanitë eksportuese të kenë një nga vitet e tyre më të mbara, e reflektuar kjo dhe në ecurinë pozitive të totalit të eksporteve (këto të fundit u rritën me rreth 60% me bazë vjetore në 2010-n).

“Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh në vend, ka shënuar dyfishim të xhiros, kur të ardhurat nga shitja e naftës, sipas raportit të saj vjetor, kanë arritur në 170 milionë dollarë (rreth 18 miliardë lekë), nga rreth 87 milionë dollarë në vitin 2009.

Për herë të parë që nga 2007-a, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri, kompania ka arritur të dalë me fitim, që është në vlerën e rreth 14 milionë dollarëve. Prodhimi mesatar vjetor u rrit me rreth 50%, ndërsa dhe çmimi mesatar i naftës bruto ka qenë më i favorshëm, nga 62 dollarë për fuçi në 2009-n, në 80 dollarë për fuçi në vitin 2010, sipas të dhënave nga bilanci vjetor.

Kompania e përpunimit të metaleve, “Kurum”, eksportuesi tjetër i madh shqiptar, e ka rimarrë veten në 2010-n, pas një periudhe të vështirë gjatë 2009-s, ku kompania ndjeu rënien e kërkesës nga partnerët, rrjedhojë e krizës globale.

Në vitin 2010, xhiro e shoqërisë u rrit me rreth 44%, duke arritur në 16 miliardë lekë.

Nga sasia totale e hekurit të eksportuar vitin e kaluar, mbi 65% (200 mijë tonë) u eksportuan vetëm nga “Kurum”. Vitin që shkoi, drejtuesit e “Kurum” tregojnë se kanë bërë investime të reja për të rritur kapacitetet prodhuese.

Në fillim të vitit të kaluar (kur çmimi dhe kërkesa ishin rritur) përfaqësuesit e kompanisë “Kurum” tregojnë se investuan 16 milionë euro për rritjen e kapacitetit prodhues.

Fitimet e këtij investimi, kompania pritet t’i gëzojë më tepër gjatë këtij viti, kur çmimi është më i lartë dhe mundësia e eksportit po ashtu. Prodhimi i këtij viti pritet të jetë mbi 30% më i lartë.

Pas tkurrjes që i ndodhi tregut të hekurit në vitin 2009 (me uljen e çmimit), prodhuesi i Elbasanit po zgjerohet përmes “marrjes” së tregut në rajon.

Me rritjen e prodhimit, sipas drejtuesve të “Kurum”, hekuri i prodhuar në Shqipëri pritet të zërë rreth 70% të tregut të hekurit vendas (nga 60% që zinte një vit më parë), dhe 40-50% të tregjeve rajonale (Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni).

Sipas të dhënave të kësaj kompanie, rreth 30% e eksporteve shkuan në Kosovë, ndërsa në tregjet serbe dhe maqedonase, shkoi rreth 6% e sasisë së eksportit.

Duke përfituar nga koniunktura e mirë në tregjet ndërkombëtare, trefishim të xhiros ka pasur dhe kompania eksportuese e kromit, “Albanian Chrome”, e cila e ka mbyllur vitin me një xhiro prej rreth 5.8 miliardë lekësh.

Nafta, ashpërsohet gara

Vënia në eficiencë e investimit prej 10 milionë eurosh në depozitat e Porto Romanos ka bërë që kompania “Europetrol Durrës Albania” të ketë trefishim të xhiros në 2010-n, në rreth 20 miliardë lekë, duke u bërë kompania më e madhe e karburanteve në Shqipëri dhe ndër të parat në vend sa i përket të ardhurave. Frident Kuqi, drejtuesi i kompanisë, pohon se rritja, përveç depozitave ka ardhur dhe nga eksportet që janë realizuar drejt Kosovës.

“Taçi Oil”, me strategjinë e tij për të ofruar çmime më të ulëta se të tjerët dhe zgjerimin e vazhdueshëm me pika shitjeje (kohët e fundit duke blerë dhe disa stacionet të “Eurodrin”), ka vijuar të ketë rritje prej rreth 9.5%, duke rezultuar me një xhiro prej 12.6 miliardë lekësh në 2010-n.

Rritje ka arritur të ketë dhe “Global Petroleum Albania”, si dhe shumë kompani të tjera më të vogla të tregtimit të karburanteve, ndonëse tregu e ka frenuar disi konsumin për shkak të shtrenjtimit të vazhdueshëm të çmime të karburanteve gjatë vitit të kaluar (shiko grafikun).

Në këtë situatë, rritja e lartë e xhiros e disa kompanive ka reflektuar kryesisht formalizimin e tregut, pas vendosjes së kasave fiskale në pikat e shitjes së karburanteve.



Bankat, “Raiffeisen” kryeson, por BKT rritet shpejt

“Raiffeisen” mbetet banka më e madhe në vend, por që ka frenuar rritjen në vitin 2010. Ritme më të larta rritjeje ka shënuar BKT, që i ka shtuar të ardhurat me 32%, sipas të dhënave nga vetë kompania. “Intesa Sanpaolo”, “Banka e Tiranës”, “Credins” dhe “Alpha” vijojnë në listën e kompanive më të mëdha në vend.

Ndonëse 2010-a ishte relativisht një vit i vështirë për bankat, ku kredidhënia u frenua dhe niveli i kredive të këqija u rrit me shpejtësi, për ta mbyllur vitin me një normë të huave me probleme prej rreth 13%, përsëri “Raiffeisen”, BKT, “Intesa” dhe “Credins” kanë arritur që të rrisin fitimet e tyre neto.

Fitimet neto të bankave kryesore (lekë)    2010    2009      
Raiffeisen                    5,360,979,000                     4,693,907,000       

BKT                         2,600,308,776                           1,356,532,840       

Intesa Sanpaolo Bank              2,222,661,000   1,880,352,000      

Tirana Bank                                         =                      1,790,771,000       

Credins                    667,405,000                             524,765,000       

Alpha                         =                                          894,170,000                                       

Burimi: Bilancet përkatëse të bankave; për BKT fitimi në dollarë është konvertuar me kursin mesatar të 2010-s sipas BSH-së, 1 USD = 104 lekë; “Alpha Bank” dhe “Banka e Tiranës” nuk e kanë publikuar ende bilancin e vitit 2010       


Distribucioni dhe retail, ndien tkurrjen e konsumit

Kompanitë më të mëdha të shpërndarjes me shumicë kanë ndier gjatë 2010-s tendencën e tkurrjes së konsumit të brendshëm.

Në përgjithësi, “Interdistribution Service”, “Vin Internaional Distribution”, “Alfa”, “Interbrands” kanë shënuar rritje minimale në vitin 2010. Me ritme më të kënaqshme rritjeje kanë rezultuar “Agna” e “Marketing & Distribution”.

“Neptun” (pjesë e grupit “Balfin”) ka regjistruar një xhiro prej 4.4 miliardë lekësh në 2010-n, duke vijuar tendencën e rritjes (13% më shumë), pavarësisht nga frenimi i konsumit (të dhënat nga doganat konfirmojnë se importi i pajisjeve e aksesorëve elektronikë ishte 35.7 miliardë lekë në 2010-n, nga 35.4 miliardë lekë në vitin 2009).

Burime nga kompania pohojnë se rritja ka ardhur si rrjedhojë e mbajtjes së çmimeve të ulëta, zgjerimit të rrjetit të dyqaneve dhe marrjes së tregut nga dyqanet e vogla.

Investimi që po zhvillohet në “Tirana East Gate” ka sjellë një rritje me 77% të xhiros së kompanisë “Mane TCI”, nga 3.1 miliardë lekë në rreth 5.5 miliardë lekë. Qendra pritet të bëhet funksionale në fillim të muajit nëntor dhe do të ketë një sipërfaqe totale prej 90,000 m2, nga e cila 50,300 m2 do të jetë sipërfaqe dyqanesh.

“Tirana East Gate”, projekti më i ri i grupit “Balfin” në biznesin e qendrave tregtare, do të jetë qendra më e madhe tregtare dhe argëtuese në Shqipëri, sipas burimeve nga kompania.

Digitalb ia ka dalë edhe gjatë vitit 2010, që të garantojë një rritje të të ardhurave prej 8%, duke e mbyllur vitin me një xhiro prej 4.7 miliardë lekësh, sipas burimeve nga vetë shoqëria.

“Euromax”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend ka shënuar rënie të xhiros me 22% në vitin 2010. Pasi u ble nga serbët e “Delta Maxi”, kompania ka kaluar tashmë në pronësinë e belgëve, teksa “Delta Holding” (pronari i “Delta Maxi”) ra dakord në fillim të këtij viti të shiste “Delta Maxi” te “Delhaize Group”.
“Mercator - A shpk”, sipas raportit vjetor të grupit “Mercator” ka realizuar një xhiro vjetore prej rreth 4.5 milionë eurosh për vitin 2010 (rreth 621 milionë lekë). Kompania deklaron humbje për periudhën, ndërsa ka 121 të punësuar.

“Belle Air” ruan kryesimin

“Belle Air” ka arritur të ruajë kryesimin në tregun e fluturimeve, ndonëse ritmet e rritjes në 2010-n janë ngadalësuar në krahasim me vitin e mëparshëm.

Xhiro e shoqërisë ishte rreth 9.5 miliardë lekë në fund të 2010-s. Që prej vitit 2006, “Belle Air” e ka rritur me shpejtësi pjesën e vet në tregun e fluturimeve, përmes ofrimit të biletave 10-15% më lirë se konkurrentët, duke zënë 44% të tregut në fund të vitit 2010.


Cigaret, shqiptarët po pinë më pak?!

Ndonëse të dhënat zyrtare tregojnë për rritje të importit të cigareve gjatë vitit 2010, me rreth 12.5% (nga 4000 tonë në 4500 tonë), për kompanitë më të mëdha shpërndarëse, ky nuk ka qenë aspak një vit i mbarë.

Të dhënat e publikuara nga tatimet, tregojnë se dy importuesit më të mëdhenj kanë shënuar rënie të ndjeshme të xhiros. Për “Philip Morris” (shpërndarësin e “Marlboro”, “Merit”, LM, “President”, “Assos”, “Philip Morris”), xhiro në vitin 2010 është reduktuar me 22%, nga 7.7 miliardë lekë në rreth 6 miliardë lekë. Primall -Japan Tabacco International (distributor i “Winston”, “Montecarlo”, “Cammel”) ka pasur rënie më të ndjeshme të aktivitetit, rreth 35%, nga 6.1 miliardë lekë, në rreth 4 miliardë lekë.

Edhe “British American Tabacco” (shpërndarës i markave “Kent”, “Dunhill”, “Lucky Strike”, “Pall Mall”, “Piter Silverson”) deklaron reduktim të të ardhurave me rreth 20%, nga 2.3 miliardë lekë në 1.8 miliardë lekë.

Vitin e kaluar, në treg ka pasur një ecuri të mirë “Imperial Tabacco” (me markat “Davidoff”, “Goluaz”, “West”), pasi ia ka kaluar shpërndarjen rrjetit të mirorganizuar të “Marketing & Distribution”, duke çuar dhe në rritjen e xhiros së kësaj të fundit.

Veçanërisht konkurrente ka qenë me “Maxim Slims”, që shitet në treg me një çmim relativisht më të lirë se cigaret simotra të saj.

Në përgjithësi, përfaqësuesit e kompanive pohojnë se në treg vihet re tkurrje e konsumit, që lidhet si me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të një pakete cigare (si rrjedhojë e shtrenjtimit të akcizës) ashtu dhe me një ndërgjegjësim më të lartë për të reduktuar duhanpirjen.

Nga ana tjetër, tregu ka dukshëm një zhvendosje drejt markave të lira (që kushtojnë 100-130 lekë/paketë) dhe sidomos drejt atyre të mesme (150-190 lekë/paketë) dhe një largim nga cigaret e konsideruara Premium (mbi 200 lekë), duke reduktuar në këtë mënyrë të ardhurat për shpërndarësit.

Një segment i pamatur është ai i duhanit me të dredhur, që vlerësohet se po shkon drejt rritjes, si një alternativë e lirë për të gjithë ata që nuk duan të heqin dorë nga ky ves.

Po si shpjegohet shtimi i importit të cigareve në vitin 2010? Aktorët e tregut e lidhin rritjen e importit të cigareve gjatë vitit 2010 me pritshmërinë për fillimin e zbatimit të një niveli më të lartë akcize (në fuqi që nga janari 2011) dhe jo me ndonjë shtim të konsumit.

Importuesit nxituan të importonin përpara kësaj ngjarjeje, duke krijuar rezerva të mëdha. Ecuria e importeve për katër muajt e parë të vitit e vërteton këtë tendencë, teksa ato ishin 28.5% më të ulëta në krahasim me janar prill 2010 (nga 1120 tonë në 800 tonë).


Ecuria e xhiros së kompanive kryesore importuese të cigareve (lekë)          2010    2009   Ndryshimi 2010/2009 (%)       

PHILIP MORRIS ALBANIA SHPK5,966,476,000    7,680,519,884    -22.3       

Primall    3,978,344,000                6,158,196,472    -35.4       

BRITISH AMERICAN TOBACCO 1,810,810,000    2,261,861,491    -19.9                             

Burimi: Tatimet                                           

Importi i cigareve (ton)         2009    2010    jan-prill 2010    jan- prill 2011                    4,060    4,500    1120    800        Burimi: Doganat, Ministria e Bujqësisë                      


Bizneset (grupet) më të mëdha shqiptare

“Balfin Group”

“Balfin Group” rezulton të jetë grupi më i madh shqiptar, me një xhiro vjetore prej 235 milionë eurosh në vitin 2010, duke përfshirë dhe të ardhurat e tij të realizuara jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga vetë kompania, xhiro e realizuar brenda Shqipërisë në vitin 2010 arriti në 86.6 milionë euro, ku peshën më të madhe e zënë “Neptun” dhe “Mane TCI” (ndërtuesi i TEG), e ndjekur nga “Fashion Group” (rrjet dyqanesh), “Akrem” (menaxhim i qendrave), “Electroservice” etj.

Jashtë vendit grupi realizoi të ardhura prej rreth 145 milionë eurosh përmes rrjetit “Neptun” në rajon dhe kompanisë “Albatrade” në Vjenë.

Në vitin 2011, sipas parashikimeve të kompanisë, pritet që grupi të realizojë në total një xhiro prej 450 milionë eurosh, ku përveç rritjes së aktiviteteve ekzistuese, pritet të mbarojë nga ndërtimi qendra tregtare në periferi të Tiranës, “Tirana East Gate” (TEG), një investim prej 55 milionë eurosh, teksa po ndërtohet dhe një qendër tregtare në Shkup të Maqedonisë, me vlerë investimi që arrin në 70 milionë euro.

Rezart Taçi

Përmes kompanive të tij, “Taçi Oil”, “Kuid” dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 220 milionë eurosh gjatë vitit 2010, duke qenë një nga biznesmenët që qarkullon më shumë para në vend. Megjithatë, xhiro e kombinuar e tre kompanive të tij në 2010-n ka rënë me rreth 25% në krahasim me një vit më parë, për shkak të përgjysmimit të të ardhurave nga ARMO.

Grupi “Infosoft”

Grupi “Infosoft” ka realizuar në total një xhiro prej 148 milionë eurosh, sipas burimeve nga kompania. Aktiviteti i saj përfshin “Infosoft System” dhe “Infosoft Office” në Tiranë, “Infosoft System” në Kosovë dhe Maqedoni, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit “Inter Distribution Service” dhe ITD.


Grupi “Agna”

Tri kompanitë kryesore të grupit, “Agna” sh.a (shpërndarës produktesh dhe investues), “Alfa” sh.a (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”) dhe “Albartex” (që vepron në fushën e reklamave outdoor), realizuan për vitin 2010 një xhiro prej rreth 100 milionë eurosh.



Share on Facebook

Printo  
© Copyright: Alblink 2008