njofto
Advanced Poll
Kush jane fituesit e zgjedhjeve 2013
Partia Demokratike
PD + LSI + PDIU
Partia Socialiste
PS + AK + FRD
PS + LSI + AK + FRD
PS + AK + FRD + PDIU


View results
Version 2.08
 Kursi Ditor
USD / LEK 109.57
EUR / LEK 139.50
GBP / LEK 173.76
CHF / LEK 115.88
Ndryshimi i fundit: 16.11.2012
Pėr mė shumė

Interesat e Instrumenteve tė Bankės
Marre nga Banka e Shqipėrisė
Mėsuesi dhe ndryshimi i komunikimit tė sjelljes
Shtuar me date:2012-02-29 12:15:15

TIRANE – 29 shkurt 2012 ( Mesuesi ) - Që prej muajit shtator, viti i ri shkollor në sistemin parauniversitar ka nisur me një vlerë të shtuar, për një shkollë sa më miqësore, larg sjelljeve të dhunshme; fizike apo psikologjike, pro sjelljeve pozitive. Gjatë periudhës Tetor – Nëntor 2011 janë zhvilluar 66 seanca orientimi, ku 2645 mësues (drejtorë, nëndrejtorë shkollash, kujdestarë, mësues, psikologë) anekënd vendit janë njohur në detaj me Mënyrat e Reja të Disiplinës.

Seancat e orientimit janë zhvilluar pranë Drejtorive Arsimore në Vlorë, Elbasan, Dibër, Korcë, Tiranë, Gjirokastër, Durrës, Kukës, Tropojë, Lezhë, Berat, Fier, Shkodër, Pukë. Këto seanca kanë rezultuar të suksesshme nga bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë partnerëve zbatues në këtë proces: Ministria e Arsimit dhe Shkencës, UNICEF, trajnerët e Mënyrave të Reja të Disiplinës, Drejtoritë Arsimore Rajonale, Zyrat Arsimore, World Vision dhe AVIS Albania.

Tashmë COMBI (Komunikim për Ndryshimin e Sjelljes) ka marrë rrugëtimin e tij, jo thjeshtë si program, por, po jetësohet në mjediset shkollore. Një pjesë e madhe e mësuesve e kanë përqafuar këtë qasje të re komunikimi, paçka se nuk kanë munguar as rastet e skepticizmit apo rezistencës nga një pakicë e tyre.

Përmes COMBI-it mësuesi ka ridimensuar rëndësinë e komunikimit, misionin e shumëfishtë të tij, dhe vlerat përtej procesit të mësimdhënies. I ndodhur çdo ditë para dhjetëra syve dhe veshëve të fëmijëve që e shikojnë dhe e dëgjojnë, e vëzhgojnë dhe e provokojnë, mësuesi nuk ka thjeshtë detyrën që të mësojë.

Ai është modeli i monitoruar në komunikimin verbal, në sjellje, në lëvizje, në gjeste, në mimikë, në gjithçka; pra ai ndodhet i skanuar dhe i shënjestruar nga sytë e përqendruar në një pikë.

Njëherësh, ai duhet të jetë i pranishëm dhe i vëmendshëm, në çdo bankë, në çdo zemër, në çdo mendje, për të zotëruar situatën, për të shmangur çdo thyerje disipline dhe mbi të gjitha, për të realizuar me sukses procesin mësimor.

Pra, për të prodhuar vlera edukative. Ky është një komunikim i shumëfishtë, tejet i vështirë, ku në çdo moment raportet mësues – nxënës përballen me plot peripeci dhe të papritura, me gracka dhe testime inteligjente prej fëmijësh - secili individ, me botën e tij komplekse, me karaktere dhe formime të lloj–llojshme.

Në këtë teatër edukimi, protagonisti kërkon qetësi dhe vëmendje maksimale në shpjegim, kërkon përgjegjësi nga nxënësi në realizimin e detyrave dhe angazhim gjatë pyetjeve dhe diskutimeve. Por, realizimi i këtij procesi nuk është asnjëherë i lehtë.

Disiplina në klasë nuk është më çështje diktati, apo imponim “idhulli”, siç ka qenë njëherë e një kohë, ku përfytyrimi dhe imazhi i mësuesit kishin shkuar në kufijt “e paprekshëm”; ku mësuesi ishte i pagabueshëm, dhe ku nxënësi përballej atypëraty me ndëshkimin, nëse ai thyente atmosferën në klasë.

Për hir të kësaj kulture dhe tradite të trashëguar, mësuesi kishte në dorë të gjitha mjetet për të bërë gjithçka në klasë. Ai mund të ndëshkonte edhe fizikisht apo psikologjikisht secilin prej fëmijëve, me apo pa dashje; me një shikim të vrëngër, apo mund t’i hiqte një dackë, t’i shkulte veshin: Ai mund të bërtiste dhe ulëriste, mund të vinte një nofkë pa teklif apo përzinte nga klasa secilin prej nxënësve “zevzekë”, pa u menduar dy herë, apo pa e vrarë mendjen se çfarë dëmi kishte shkaktuar, vetëm e vetëm që të realizonte procesin mësimor. Ai nuk donte apo nuk ishte në gjendje që të lexonte sytë e frikësuar deri në tromaksje të fëmijëve para tij, sepse kishte të fiksuar në kokë vetëm një qëllim: Të jepte dije edhe me pahir.

Në shumicën e rasteve, komunikimi mësues-nxënës ishte i njëanshëm, duke përjashtuar apo penalizuar të gjithë ata fëmijë, të brishtë psikologjikisht, duke i arratisur në një botë tjetër. E për pasojë, shkolla iu kthehej në një “ferr” dhe dija në një ngërç që iu bllokonte mendjen dhe iu ngrinte buzëqeshjen.

Pa dashje, ata ktheheshin në viktimat e “moskuptimit” pasi nuk kishin derë për të trokitur, për të qarë halle; as në shkollë dhe as në shtëpi, ku prindër të lodhur prej hallesh, nuk kishin as nuhatjen për të shkuar përtej fytyrës së trishtuar dhe as aftësinë për të hapur një shteg komunikimi me fëmijën e tyre; pa le më, për të shtruar problemin për zgjidhje.

Edhe raporti mësues-prind vuante sërish nga i njëjti kompleks tradicional, ku asnjëra palë, në jo pak raste, nuk dinte ç’të kërkonte në të mirë të edukimit dhe shëndetit mendor të fëmijës. Për pasojë, të dyja palët ndëshkonin fëmijën, në vend që të ndëshkonin gabimin.

Edhe sot, megjithëse është shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme informacioni dhe ka mjete të shumta komunikimi, gjërat nuk kanë ndryshuar në nivelin e dëshiruar. Reflektimi i një situate të tillë, ishte dhe nisma e MASH dhe UNICEF për të zbatuar këtë program, i cili ecën në të njëjtën linjë me politikat e deritanishme të MASH, për një shkollë miqësore, pro sjelljeve pozitive.

Ndonëse dhuna fizike në shkolla është reduktuar në masë të madhe, efektet e saj janë të pranishme kudo; në familje, rrugë, ekran, etj. E fatkeqësisht, nuk tentojmë të shkojmë asnjëherë në rrënjët e saj, aty ky kultivohet kjo e keqe, por shohim dhe interpretojmë thjeshtë në cektësinë e shfaqjes së saj. Nuk merremi me shkaqet e gabimeve, por zgjedhim rrugën më të shkurtër të zgjidhjes së konliktit, përmes dhunës.

Një situatë e tillë flet qartë se këto mënyra tradicionale të disiplinimit të fëmijëve nuk janë më efikase dhe me praktikat e deritanishme të edukimit nuk mund të ndryshojmë të ardhmen tonë, përkundrazi, do ta lëmë me këto tonalitete dhe ngjyra që na përplaset pamëshirshëm në fytyrë çdo ditë; nuk mund ta bëjmë atë harmonike dhe nuk mund t’iu sigurojmë qetësinë shpirtërore fëmijëve tanë.

Në këtë mjedis të mbarsur me dhunë, së pari, do të duhet që të ndryshojmë komunikimin, dhe një praktikë e tillë, së pari është shtruar për përqafim në shkollë, aty ku përveç dijes, prodhohet edukim dhe kulturë, prodhohen modele që do të marrin në dorë të nesërmen tonë.

COMBI u ka ofruar të gjithë komunitetit të madh të arsimtarëve të ndryshojnë apo përmirësojnë sjelljen nepërmjet Mënyrave të Reja të Disiplinës (MRD); padyshim një kërkesë me plot sfida, edhe të mirëkuptueshme; sepse, mbi të gjitha, është një apel për reflektim, është një përballje për luftë me vetveten, thuajse po aq e vështirë sa të braktisësh një ves; iu është ofruar një mënyrë e re komunikimi.

Iu takon arsimtarëve tanë që të ndalen për një çast, të bëjnë analizën e punës së tyre, të kërkojnë të metat apo defektet gjatë procesit komunikativ në klasë, dhe të rivlerësojnë mënyrat e përcjelljes së mesazhit; - në fakt, një proces ky që është i domosdoshëm për të gjithë. Në fund të këtij bilanci, të gjithë do të kuptojmë se suksesi në komunikim arrin rezultatin e dëshiruar kur, veç dijes japim pak më shumë buzëqeshje dhe dashuri ndaj nxënësit.

Përqafimi i Mënyrave të Reja të Disiplinës (MRD) nuk është thjeshtë një domosdoshmëri për një ndryshim administrativ apo burokratik, por është një mesazh për veprim dhe rikonfirmim, pasi të ketë kaluar fillimisht në laboratorin psikologjik dhe pedagogjik të vetë mësuesit dhe pasi të jetë pranuar prej tij si një praktikë efikase dhe e shëndetshme për nxënësit e tij.

Historia na ka treguar se shkolla, shpeshherë, ka qenë një vatër më e fuqishme rrezatimi edukativ sesa edhe vetë familja. Si atëherë, edhe sot kemi nevojë për ngrohtësinë e tij.

Në këtë rrugëtim të vështirë, mësuesit i jepet një mision shtesë në klasë, por njëherësh i jepet autoritet i ri, pa mjete dhune. Ashtu si arbitri në fushën e futbollit, ai ka në xhep kartën e verdhë, të quajtur PEET (Pause, Enquire, Engage, Take) dhe përmes katër mikro-veprimesh komunikimi sistematike, operon për zgjidhjen e një situate apo incidenti në klasë.

Nxjerrja e kartës jep mesazhin e qartë para nxënësve për thyerje disipline kur cënohet harmonia në klasë; dhe në asnjë rast për ndëshkim.

Pa dyshim, kjo është një “lojë e bukur” që nuk aplikohet me shaka, të cilën fëmijët mund ta marrin seriozisht dhe janë të gatshëm për ta konsideruar të tillë, ashtu siç respektojnë rregullat e lojës, nëse mësuesi gjen kohën dhe vendin e duhur për realizimin e këtyre mikroveprimeve.

Karta PEET është edhe një alternativë komunikimi miqësore në funksion të bashkëbisedimit mësues – nxënës, për arritjen e një qëllimi të përbashkët.

Mikroveprimet PEET janë një proces i ri ndërgjegjësimi, marrëdhëniesh mësues – nxënës – prindër. COMBI vjen me një paketë alternative të plotë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë faktorët e shoqërisë, me synimin që të ndihmojë edhe komunitetin e nxënësve dhe arsimtarëve, drejtuesit e strukturave arsimore dhe komunitetin e prindërve.

Por, të gjithë energjitë e investuara në këtë fushatë sensibilizuese, do të ishin të kota nëse mesazhi për heqjen dorë nga mënyrat e vjetra të disiplinës nuk do të përcielleshin në çdo damar të shoqërisë tonë, nëse nuk pranohet ngrohtësisht edhe në familje, nëse nuk shtrohet për diskutim në biseda miqsh, apo nuk artikulohet publikisht, përmes mediave, nga ekspertë dhe intelektualë të angazhuar.

Ndërkohë MASH, UNICEF, World Vision, Optima Communication dhe GfK Albania kanë nisur fazën e monitorimit dhe së shpejti pritet të fillojë fushata publicitare, e cila do të ketë në fokus të vazhdueshëm mesazhin e COMBI-t dhe Mënyrave të Reja të Disiplinës.

COMBI (Komunikimi për Ndryshimin e Sjelljes) është mesazhi që ka gjetur një dritare të hapur në shkollën tonë, dhe prej andej pret të përqafohet nga avokatët e parë të tij, - mësuesit – dhe më pas të përcillet në të gjithë shoqërinë.

Albert GJOKA
Gazetar i MRD pranë programit COMBI






Share on Facebook

Printo  
© Copyright: Alblink 2008